image Ylli fiton pas dy vazhdimeve ndaj Pejës, përfundim dramatik në Suharekë

Basketboll

Ylli fiton pas dy vazhdimeve ndaj Pejës, përfundim dramatik në Suharekë

news image

Skuadra e Yllit ka arritur të shënojë fitore në një ndeshje që dukej se nuk kishte fund.

Basketbollistët e ekipit kampion kanë arritur të mposhtin Pejën pas dy vazhdimeve sonte në ’13 qershori’ të Suharekës, në një duel për gurmanët e basketbollit dhe atë me rezultat minimal, 93-92 [15-20, 19-11, 22-19, 15-21, 13-13, 11-10].

Derisa në sekondën e fundit të kohës së rregullt ka qenë kapiteni i Yllit Gëzim Morina që kishte shënuar tresh për të çuar ndeshjen në vazhdime, në sekondat e fundit të vazhdimit të parë së pari Henrik Sirko, e pastaj edhe Sami Hajzeri shënuan treshe për të dërguar duelin në vazhdimin e dytë.

Peja kishte nisur më mirë ndeshjen, ndërsa Ylli riktheu stabilitetin në çerek të dytë dhe në fund të çerekut të tretë hyri me epërsi në atë të fundit. Por pejanët s’menduan ashtu dhe ishin në prag të fitores, derisa në skenë doli Morina. E kjo treshe e Morinës ndërroi gjithçka më vonë në fushë, që në vazhdime bëri triumfues Yllin.

Erjon Kastrati kreu duelin me 31 pikë të shënuara, duke dhënë katër nga gjashtë tentimet për tri pikë, si dhe duke shtuar gjashtë asistime në llogari të tij. Barret Benson luajti me double-double prej 12 pikëve dhe 13 kërcimeve, ndërsa nga 12 pikë shënuan edhe Mikaile Tmusic e Cameron Williams.

Ndeshje tejet të mirë kishte Brandon Randolph që dha 19 pikë, 9 kërcime e 6 asistime.

Te Peja të huajt thanë fjalën kryesore. Erdem Ilter dha 29 pikë, ndërsa 23 të tjera shënoi Henrik Sirko, duke shutuar 4/10 për tri pikë, bashkë me 9 kërcime e 3 asistime. E Stephen Maxëell kreu ndeshjen me double-double prej 20 pikëve, 11 kërcimeve e 3 asistimeve.

Ylli me këtë fitore tash ka bërë bilancin 5-4, ndërsa Peja 6-3 në Superligë, ndërsa në Ligën Unike Ylli është 2-0, e Peja me këtë humbje 1-1.  /Gazeta Sinjali Sporti/