image Xhelal Sveçla flet për kasafortat e hapura në MPB dhe dhomën e përgjimeve në Telekom - Sinjali

Xhelal Sveçla flet për kasafortat e hapura në MPB dhe dhomën e përgjimeve në Telekom

news image

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur rreth deklaratave të ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për dy kasaforta të hapura, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Veliut, Sveçla në kohën sa ishte ushtrues detyre në këtë ministri, kishte hapur një kasafortë në të cilën kishte dokumente sekrete apo të klasifikuara.

Por, Sveçla tha se kjo nuk është e vërtetë dhe që sipas tij situata është ndryshe, sepse kur janë hapur kasafortat nuk ka pasur asnjë dokument.

“Ato janë broçkulla dhe nuk e di nga cila mendje dolën, edhe pse e tha Veliu. Nuk ka asgjë të vërtetë aty. Situata është plotësisht e ndryshme, por ata duke mos pasur çfarë të thonë e kanë shpikur atë. Kur unë fillova detyrën si ushtrues detyre i ministrit, ishin dy kasaforta, njëra me dy çelësa dhe kur u hap ajo nuk kishte asgjë brenda, asnjë dokument”, ka thënë ai në televizionin publik.

Sveçla është pyetur edhe për akuzat e presidentit se ai bashkë me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, i cili në atë kohë ishte kryeministër dhe me ish-zëvendëskryeministrin Haki Abazi, janë futur në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

Sipas tij, kjo është një shpifje, pasi që kjo dhomë as nuk ekziston.

“Nuk ekziston dhoma e përgjimeve në Telekom, e ka ditur edhe presidenti dhe ai ka shpifë se unë bashkë me kryeministrin Kurti për tri ditë radhazi kemi qenë në përgjime, është budallallëk”, ka thënë Sveçla./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin