image Agim Veliu: Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja

Politikë

Agim Veliu: Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja

news image

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se përgjegjësia politike për renditjen e LDK-së në vendin e tretë bie mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.

Në një shkrim në Facebook, Veliu ka vlerësuar se ky rezultat ka qenë larg pritjeve që, sipas tij, lidershipi aktual i kishte krijuar gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas tij, gjatë procesit zgjedhor janë injoruar paralajmërimet e brendshme për probleme në funksionimin e partisë, përfshirë centralizimin e vendimmarrjes, margjinalizimin e mendimeve ndryshe dhe largimin nga baza elektorale, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve.

Ai ka shtuar se rezultatet e zgjedhjeve kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura më herët dhe se, sipas tij, lidershipi duhet të pranojë dështimin e projektit për transformimin e partisë.

Postimi i plotë:

Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.

Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.

Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.

Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.

U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.

Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.

Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.

LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.

Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.

Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.

Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.

LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/