image Wahl: Të rinjtë duhet të fuqizohen, janë zgjidhja kundër dhunës në baza gjinore

Aktivitet/ Wahl: Të rinjtë duhet të fuqizohen, janë zgjidhja kundër dhunës në baza gjinore

news image

Zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Killian Wahl, ka deklaruar se ndikimi i të rinjve në botë është duke u rritur, derisa ka bërë ftesë që të gjithë të punojnë për fuqizimin e të rinjve.

Këto komente Wahl i ka bërë gjatë prezantimit të aktiviteteve që misioni i OSBE-së ka bërë gjatë vitit 2019 me të rinj. Ai tha se ndryshimi i shoqërisë vjen nga të rinjtë, për çka edhe tha se fuqizimi i tyre do të ndikojë për krijimin e një bote më të mirë.

“42 përqind e popullatës së botës është nën moshën 25 vjeçe, në Kosovë kjo shifër madje është 53 përqind. Të rinjtë janë në fokus të politikës, pavarësisht a duan ta pranojnë të gjithë këtë apo jo dhe e ardhmja iu takon juve, ju takon të rinjve, burrave dhe grave që janë lider sot dhe bota në fakt qëndron në duart tuaja. Ndikimi i të rinjve është duke u rritur dhe këtë e kemi pa kudo që shikoni mediat globale, e dini se çka po ndodh në nivel global dhe se si të rinjtë kontribuojnë dhe shtyjnë këtë ndryshim për të mirë. Ndryshimi i vërtetë në shoqëri vjen nga ju, nga të rinjtë e mençur, të talentuar, që kanë iniciativë dhe energjinë për ta formësuar botën ashtu siç ju mendoni se duhet të jetë, qoftë fusha e ndryshimit klimatik, ekonomia, paqja dhe siguria. Rinia sot është në qendër të të gjithave, por përkundër këtij fakti mese gjysma e të rinjve në nivel global besojnë se zëri i tyre nuk po dëgjohet, kështu që hajde ta ndryshojmë. Të rinjtë duhet të fuqizohen, ju duhet ta kuptoni se ju e keni mundësinë për ta ndryshuar botën”, tha ai.

Wahl tha se të rinjtë kanë rol kyç për të ndryshuar sjelljen e popullatës sa i përket dhunës në baza gjinore.

Në këtë konferencë janë prezantuar aktivitetet që misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. /Gazeta Sinjali/