Lëvizja Vetëvendosje po e kundërshton kategorikisht një tërheqje të mundshme të kursimeve nga Fondi Pensional i Kursimeve, që po kërkohet nga numër i madh i qytetarëve. Kujtojmë që në vitin 2020 kishte ndodhur një tërheqje e tillë, të cilën e kishin shfrytëzuar shtatë deputetë të Vetëvendosjes e Listës Guxo. Në total, këta shtatë ligjvënës u pasuruan për rreth 11 mijë euro.
Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Visar Korenica, Jeta Statovci, Adnan Rrustemi e Arijeta Rexhepi kishin tërhequr 10 për qind të mjeteve nga Trusti, edhe pse asokohe një tërheqje e tillë ishte kundërshtuar nga VV-ja.
Një tjetër iniciativë për tërheqjen e një përqindje të caktuar të Trustit e ka propozuar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, gjë që ndikoi në riaktualizimin e kësaj çështje.
Njëjtë si në vitin 2020, tërheqja e Trustit, po kundërshtohet edhe tash nga partia më e madhe që e udhëheq vendin – Lëvizja Vetëvendosje.
E për këtë, sot u deklarua edhe i pari i VV-së, kryeministri, Albin Kurti. Ai tha se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk është zgjidhje.
“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti pasi bëri homazhe te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë.
Por qëndrimin e Kurtit nuk e përfillën shtatë anëtarë të shumicës qeverisëse, pasi bazuar në deklarimet e pasurisë më 2021, disa ministra e deputetë të pushtetit aktual kanë tërhequr rreth 11 mijë euro më 2020.
Zyrtarët e VV-së dhe shuma që ata kanë tërhequr nga Trusti:
- Ministrja Albulena Haxhiu: 2 mijë e 390 euro
- Ministri Liburn Aliu: 2 mijë e 658 euro
- Ministri Faton Peci: 918 euro.
- Deputeti Adnan Rrustemi: 2 mijë e 84 euro
- Deputetja Arijeta Rexhepi: 1 mijë e 200 euro
- Visar Korenica: 1 mijë e 762 euro
- Jeta Statovci: 480 euro
Kujtojmë që në korrik të vitit 2020, është miratuar projektligji për tërheqjen e 10 përqindshit nga Trusit Pensional.
Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-ës, Fondi i Kursimeve Pensionale, ka njoftuar se nga Trusti janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.
“Gjatë këtij gjashtëmujori u përmbyll me sukses edhe procesi i tërheqjes së 10%-shit, përmes të cilit 427,363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro, me fitim mesatar prej 24.2%“, thuhej në njoftim