Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës që t’i jap propozimet për t’i bashkëngjitur në kërkesën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, i cili shtoi se aktualisht i kanë 31 nënshkrime dhe janë në përpunim e sipër të tekstit të mocionit.
“Për mocionin e mosbesimit ndaj ‘Qeverisë Koti’ janë 31 nënshkrime. Kreu i GP të LVV-së, Rexhep Selimi, është në pritje të shtesave në tekstin e mocionit që do t’i bëjë kreu i GP të PDK-së”, tha Kryeziu për Kohën.
Ndërkohë të enjten, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për ta rrëzuar Qeverinë Hoti, me arsyetimin se ka dështuar në menaxhimin e situatës me pandeminë e COVID-19.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të iniciohet me propozimin e një të tretës së deputetëve të parlamentit, që i bie me 40 nënshkrime./Gazeta Sinjali/