Nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan kanë thënë se asamblistët e saj u sulmuan nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Qendra e Vetëvendosjes në Lipjan në Facebook, ku theksohet se gjatë punimeve të seancës së Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asamblistët të Lëvizjes Vetëvendosje, u sulmuan nga kryetari i Komunës.
Postimi i plotë:
AKTIVISTËT DHE ASAMBLEISTËT E LËVIZJES VETËVENDOSJE! SULMOHEN DHE KËRCËNOHEN NË KUVENDIN KOMUNAL NGA IMRI AHMETI DHE ZYRTARË TË TIJ
Sot, teksa po vazhdonte punimet seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asambleistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u sulmuan nga Kryetari i Komunës e shpura e tij në mënyrë të ulët, duke shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit.
Në fakt, pezmi e zemërimi i Imri Ahmetit ndaj aktivistit Blerton Vehapi kishte filluar qysh në tetorin e vitit të kaluar, në ditën e zgjedhjeve, ku Imri Ahmeti, para një mase të konsiderueshme të njerzve, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe linçuar publikisht atë. Tendenca për ta përdorur intimidimin dhe kërcënimin ndaj një të riu 20 vjeçar, për t’ia shuar zërin, nuk i bën aspak nder një kryetari të komunës, i cili supozohet të kujdeset për të gjithë qytetarët pa dallim. Mësyerja e pakuptimtë që Imri Ahmeti ka ndërmarrë ndaj Blertonit e asambleistëve tanë, është skandaloze dhe si e tillë duhet të shihet me kujdes, sepse përbën një mesazh të qartë ndaj çdo të riu e të reje që aktivizohet politikisht e ka qëndrime të ndryshme me të.
Poashtu, në një ngarendje për të shpërfaqur servilizmin e thellë ndaj Imri Ahmetit, asambleistë të LDK-së e zyrtarë komunalë të akomoduar nga Imri Ahmeti, vazhduan sulmin e kërcënimet e ashpra ndaj asambleistëve e aktivistëve tanë, duke u munduar të nxjerrin jashte me forcë aktivistët, me ç’rast asamblesitë e LDK-së Venhar Agushi dhe Fitim Shala kapin me dhunë aktivistët dhe ia marrin dhunshëm nga dora telefonin asambleistes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kryetari i komunës së Lipjanit gjuhën denigruese e kërcënimet i ka pjesë të rëndomtë të personalitetit dhe politikbërjes që manifestojnë vogëlsinë e tij, prandaj secili që mendon dhe veprpn ndryshe, rëndom përballet me etiketime, shpifje e bullizim nga Imri Ahmeti, ndërsa Kuvendi Komunal trajtohet si zyrë e LDK-së e pronë private e z. Ahmeti.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, dënon fuqishëm aktin skandaloz të Imri Ahmetit dhe vartësve të tij ndaj aktivistëve e asambleistëve tanë, ndërsa po shohim të gjitha mjetet dhe mundësinë për reagim ligjor në këtë drejtim.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Lipjan, ia kujton edhe njëherë Imri Ahmetit, se nuk ia kemi as respektin e as frikën dhe se angazhimi ynë politik në mbrojtje të interesit të qytetarëve e denoncimin e keqpërdorimeve nuk do të arrijë që ta ndalë.