Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht ka konfirmuar se do të jetë pjesë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit, bëri të ditur se VV-ja do ta ndihmojë opozitën shqiptare, me qëllim që të eliminohen diskriminimet.
Megjithatë, ky fakt nuk është mirëpritur në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, theksoi se kurrë nuk ka ndodhur që një parti politike nga një vend tjetër të marrë pjesë në zgjedhje në një vend tjetër, sikurse në rastin në fjalë.
“Duhet të shihet ligji për parti politike, ligji për zgjedhje. Normalisht se partitë simotra mund të mbështeten mes tyre, si ne partitë social demokrate nga bota dhe rajoni. Mirëpo modeli për të cilin flasin, me të vërtetë nuk ishte e qartë në ndonjë deklaratë që u dha dhe duhet të risqarohet. Sepse nëse fillojnë partitë politike nga fqinjësia të marrin pjesë në zgjedhje, atëherë mund të paramendoni çfarë mund të ndodhë nëse vijnë edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhje tek ne”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Përfshirjen e Vetvendosjes në listat zgjedhore të opozitës shqiptare, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e cilëson si folklor para zgjedhjeve. Sipas tij, ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje, duhet t’i përmbushin normat ligjore dhe kushtetuese.
“Shihni, kjo supozoj është pjesë e folklorit që vijon në këtë periudhë parazgjedhore. Ky është një vendim i atyre që e kanë zgjedhur. Mendoj që për të qenë pjesë e listave, duhet të jenë shtetas të Maqedonisë, t’i përmbushin normat ligjore dhe kushtetuese. Mendoj që gara zgjedhore duhet të jetë garë ku do të kryqëzohen vizioni dhe strategjia për zhvillimin e Maqedonisë e nëse dikush ka ide të tjera, duhet të tregojë”, tha Mickoski.
Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai tha të dielën se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.
“Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të emaluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, deklaroi Qoku, me prejardhje nga Struga e Maqedonisë së Veriut.