Një prej pikave të marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë, moratoriumi njëvjeçar për mos aplikim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përveç që po konsiderohet e dëmshme për vendin, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje sot kanë thënë se kjo çështje është edhe kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në një konferencë për media, thotë se ky zotim vuri në pah gatishmërinë e kësaj Qeverie për të pranuar, sipas saj, çdo gjë që i servilet, qofshin këto edhe në dëm të interesave jetike të shtetit.
Pacolli po ashtu ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të tërheq nënshkrimet për krijimin e Asociacionit dhe ta bind PDK-në për ta mbështet mocionin e VV-së për rrëzimin e qeverisë.
“Gatishmëria e kësaj qeverie jolegjitime që me vullnetin e saj të plotë të suspendojë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit, do t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në pikën e parafundit të letrës së nënshkruar kryeministri ilegal ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese, në kundërshtim me deklaratën e Pavarësisë dhe me nenin 17 të Kushtetutës së Kosovës, ai ka nënshkruar pezullimin e Republikës së Kosovës. Ky është në precedent i pa shembull në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi Pacolli.
Ajo po ashtu tha se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është jetik, për përforcimin dhe zgjerimin e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Madje, Pacolli ka thënë se moratoriumi është një fusnotë e dytë për Kosovën.
“Kjo pikë e zotimeve është tani një fusnotë e dytë dhe më e dëmshme se e para. E para reduktojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare nga shteti sovran e me të drejta të barabarta me shtetet e tjera me anëtarësim të Kosovës me fusnotë, e dyta pa mundëson anëtarësimin, si dhe bllokon avancimin e shtetit në shumë dimensione, duke filluar nga çështjet e sigurisë dhe mbrojtjesn e çështjeve të drejtësisë penale e civile, çështjet financiare, çështjet të mjedisit dhe arsimit, shëndetësisë e deri tek çështjet infrastrukturore dhe rrugore, edhe hekurudhore dhe ajrore”, tha ajo.
Derisa Pacolli ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne sapo e pamë deklaratën e presidentit dhe kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. I bëjmë thirrje presidentit së pari që të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e prillit të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015, pastaj të fton partinë e tij PDK-në që të nënshkruajë mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe të vazhdojmë tutje për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe kundër krijimit të Asociacionit të komunave serbe”, theksoi Pacolli.
Edhe Enver Dugolli nga LVV ka thënë se qeveritë vazhdimisht janë zotuar për avancimin dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa me marrëveshje të Washingtonit hoqën dorë.
“Kjo Qeveri me këto veprime po synon që t’i vë në gjumë qytetarët e Kosovës duke krijuar iluzion të rrejshëm se gjoja këta po punojnë shumë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Mirëpo, pas asaj që ndodhi në Washington, me nënshkrimin e atyre pikave si zotime ndaj Serbisë, edhe fëmijët në djep e dinë se kësaj qeverie më së paku i intereson avancimi dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare e aq më pak në NATO”, tha Dugolli.
Moratoriumi po ashtu sipas VV-së nënkupton që Kosova me vetdëshirë nuk do të aplikojë në organizatat e rëndësisë së veçantë që ndihmojnë avancimin në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, siç është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO./Gazeta Sinjali/