image VV-ja akuzon qeverinë për “haraç”, reagon Selmanaj

Politikë

VV-ja akuzon qeverinë për “haraç”, reagon Selmanaj

news image

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka akuzuar Qeverinë Hoti për korrupsion në autostradën Prishtinë-Gjilan.

Në seancën e raportimit të kryeministrit Hoti për 100 ditëshin e qeverisjes, Bulliqi ka thënë se kjo qeveri po u kërkon haraç kompanive që po ndërtojnë autostradën Prishtinë-Gjilan.

Ai tha se këtë segment rrugor e kanë ndarë në disa lote vetëm që të përfitojnë më shumë para.

“Ju jeni qeveri e cila një projekt siç është projekti i rrugës Prishtinë-Gjilan e ndani në 6 lote për arsye se lypni tall për çdo njërin prej atyre loteve nga punëmarrësit të cilët i marrin ato punë për t’i kryer dhe ai tall ta dini që është diku 500 mijë euro për secilin lot. Dhe kjo bëhet përmes sekserëve që i keni brenda kësaj qeverie. Jeni një qeveri e korruptuar sepse jeni bashkërisht me të korruptuarit dhe po sinkronizoheni me ta. Është mirë se sa më parë të lëshoni rrugë. T’i hapni vendit rrugë për zgjedhje dhe të mos vazhdoni me këtë qeverisje”, tha ai.

Ndërsa, kësaj akuze i është përgjigjur zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili mohoi pretendimet e Bulliqit, madje i kërkoi atij që të mos bëhet nervoz.

“Z. Bulliqi vetëm nervoz mos u bëj sepse bisedojmë sa të kesh interes. Kur të thuash që ju jeni qeveri e korruptuar, duhet me pas disa indikatorë. Me thënë që u nda në 6 lote dhe i merr nga 500 mijë euro, a din sa të panjohura janë për mua këto tema. Si me qenë duke folur për univers. E kur i dini ju kaq mirë, po them qysh po i dini more këto gjëra. Mua asnjë sekser nuk më vjen në zyre dhe nuk bisedohen këto tema. Mund t’i ndajmë 10 lote dhe kryhet puna. Në këtë vend është një qeveri e re, logjikë e re”, tha ai./Gazeta Sinjali/