image Vushtrriasi e rrah dhe e dëbon gruan nga shtëpia dy muaj pas martese

Siguri

Vushtrriasi e rrah dhe e dëbon gruan nga shtëpia dy muaj pas martese

news image

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, ku një burrë ka përfunduar në Polici si i dyshuar për dhunë ndaj gruas së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar gruaja, e cila ka deklaruar se ka vetëm dy muaj që është martuar me të dyshuarin dhe i njëjti disa herë e ka sulmuar fizikisht.

Sipas dëshmisë së saj, gjatë konfliktit të fundit burri i ka kërkuar që të dalë nga shtëpia, teksa e ka goditur me shqelma nëpër trup, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa viktima është kthyer te prindërit e saj.

/GazetaSinjali/