Partia e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, SNS, ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të mbajtura sot gjatë ditës.
Pas rezultateve të para zyrtare, partia e Vuçiqit, ka fituar 62.5 për qind të votave, SPS, e ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, ka dalur e dyta me 10.7 për qind.
Sipas këtyre rezultateve, në Kuvendin e Serbisë SNS e Vuçiqit do të ketë 180 deputetë, ndërsa Daçiqi 30 deputetë, raporton B92.
Sipas rezultateve preliminare zyrtare, koalicioni shqiptarë Alternativa Demokratike Shqiptare, Lugina e Bashkuar ka marrë 7.39 % të votave dhe do të ketë katër deputetë.
Të dielën në Serbi veç zgjedhjeve parlamentare, janë mbajtur edhe zgjedhjet për Kuvendin e Krahinës së Vojvodinës si dhe zgjedhje në një numër komunash.
Pas rezultateve të para, fitoren e ka festuar Vuçiqi, duke thënë se partia e tij ka marrë më shumë se dy milionë vota.
“Në politikë jam qe një kohë të gjatë, por kurrë nuk e kam përjetuar një moment të tillë. Sonte kam fituar besim të madh nga populli në kushte kur pak njerëz kanë besuar. Morëm një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi më të përgjegjshëm, të kujdesshëm dhe të zellshëm”./ Gazeta Sinjali/