Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për media pas takimit që ka pasur me krerët e “Listës Serbe” për çështjen e targave.
Siç pretendon kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, “Kosova po kërcënon stabilitetin dhe mbijetesën e popullit serb” meqë po synon të implementojë vendimin për çështjen e targave.
“Regjimi i Prishtinës po kërcënon stabilitetin, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë me kërcënimet e tij se do të vazhdojë të kryejë veprime lidhur me ri regjistrimin e automjeteve”, ka thënë Vuçiq pasi ka takuar edhe Këshillin për Siguri.
Vuçiq gjithashtu ka thënë se në takimin me “Listën Serbe” kanë dëgjuar kërkesat dhe “brengat” e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.
“Ata na informuan për nevojat e tyre dhe me gjithçka që po përballen veçanërisht në prag të skadimit të ultimatumit të dhënë për serbët e Kosovës nga regjimi i Prishtinës, veçanërisht për ata në veri të Kosovës, e që ka të bëjë me konfiskimin e targave dhe veturave”, ka thënë Vuçiq.