image Bekim Jashari reagon pasi studentë të huaj u penguan të shkojnë në Prekaz - Sinjali

Bekim Jashari reagon pasi studentë të huaj u penguan të shkojnë në Prekaz

news image

Bekim Jashari, anëtar i familjes Jashari, ka dalë kundër pengimit që i është bërë disa studentëve ndërkombëtarë për ta vizituar Prekazin, të dielën, e që në mesin e tyre thuhej se ishin edhe disa studentë serbë.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka thënë se “aksioni i sotëm pos që është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje”.

Vizita ishte penguar me pretendime, se disa studentë serbë duan t’i vizitojnë varrezat e Jasharëve.

“Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë nderkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afermi të njihen me luftën, sakricën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Mes tjerash, Jashari ka thënë se memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për secilin që dëshiron ta vizitojë atë vend.

Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë”, ka shkruar ai.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin