image Vuçiq premton ndihmë juridike për të arrestuarit në Shtërpcë - Sinjali

Vuçiq premton ndihmë juridike për të arrestuarit në Shtërpcë

news image

Sot gjatë aksionit të Policisë në Shtërpcë, u arrestuan dhjetë persona, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, nën dyshimet për marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lidhur me këto arrestimet në Kosovë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikoliq, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Nikoliq, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Ndaj arrestimeve reagoi Lista Serbe, e cila tha se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës” dhe “aksionin brutal” që u krye në Komunën e Shtërpcës.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë këtij aksioni – me deklaratat nga terreni – policia ka penguar lëvizjen, hyrjen dhe daljen nga Komuna e Shtërpcës, të njerëzve të thjeshtë, përfshirë edhe ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Vuçiq, tha se “shteti [i Serbisë] do t’u ofrojë ndihmë juridike” të gjithë të arrestuarve në Komunën e Shtërpcës.

Duke folur para gazetarëve në Tiranë, ku mori pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, Vuçiq tha se Prishtina “ka thënë që në fillim se kriminelët jetojnë në veri të Kosovës”, por shtoi se tani “duket se ka disa [edhe] në jug”.

“Unë thjesht nuk e di se si ata [zyrtarët në Kosovë] nuk gjetën kriminelë më të rëndë gjatë rrugës, i gjejnë vetëm në mesin e serbëve”, tha Vuçiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kjo është “një tentativë tjetër brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë” dhe “një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”.

Kush tjetër u arrestua?

Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: