Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se policia u soll në mënyrë profesionale dje, kur e arrestoi aktivisten Aida Qoroviq vetëm për shkak se hodhi ve në muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Bosnjë.
Sipas tij, Policia nuk mbrojti muralin i cili u shkatërrua, por qytetarët dhe këtë veprim, ai e cilëson si veprim me përgjegjësi.
“Policia mbrojti rendin publik dhe veproi me përgjegjësi. Nëse policia nuk do të ishte prezente, për t’i penguar ata të rrahin popullin, do të na kishit sulmuar”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se detyra e shtetit është të mbrojë integritetin e çdo shtetasi në Serbi.
Nëse do të kishte një trazirë, nuk do të më duhej t’ju shpjegoja se kush do t’i dilte më mirë, tha presidenti serb.
“Me sa di unë, ai mural është shkatërruar. Nëse policia do ta kishte mbrojtur muralin, murali nuk do të ishte shkatërruar. Policia ka mbrojtur qytetarët nga konflikti. Policia mbrojti rendin dhe qetësinë publike dhe veproi me profesionalizëm. Ne nuk mbrojtëm asnjë mural apo mbishkrim. E kuptoj që fajësoni të gjithë për gjithçka. Lërini nga ato lojëra të pakuptimta”, ka thënë Vuçiq, raporton Nova.
Murali me imazhin e Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë, është pikturuar këtë verë në cep të rrugëve Njegoseva dhe Aleksa Nenadovica.
Të martën mbrëma, një kordon policor bllokoi rrugën Njegoseva dhe të gjitha qasjet në muralin e Ratko Mlladiqit për të penguar aktivistët, qytetarët, përfaqësuesit e OJQ-ve, por edhe anëtarët e partive politike opozitare, të cilët erdhën për të mbështetur aktivisten dhe ish-deputeten Aida Çoroviq, për t’iu afruar muralit. Protesta e mbrëmshme ka përfunduar pa incidente të mëdha, por siç është paralajmëruar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim./Gazeta Sinjali/