Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të emëruar Nenad Rashiqin si ministër për Komunitetet në qeverinë e tij, dhe Rada Trajkoviçin si zëvendësen e tij, ka shkaktuar një reagim deri tani të paparë të presidentit të Serbisë.
Me një ton të ashpër të pazakontë Aleksandër Vuçiq e ka quajtur kryeministrin e Kosovës “llum terrorist”, duke u shprehur „se kanë zgjedhur llumin më të keq serb nga fundi i koshit që nuk kanë kurrfarë besimi në Serbi, por që kanë besimin e Kurtit dhe të agjenturave perëndimore”.
Kësaj ai i shtoi edhe paralajmërimin se nuk do të shkojë në samitin e paralajmëruar të 6 dhjetorit. Rada Trajkoviç, duke reaguar ndaj këtyre akuzave, tha se “e kupton Vuçiqin si pacient, por nuk e kupton si president të Serbisë”.
Aleksandar Vuçiq përsëriti pas takimit me komisionerin e BE për zgjerim Oliver Varhelyi se u përmbahet vlerësimeve të tij për Rashiqin dhe Rada Trajkoviçin, por shtoi se ditët në vijim do të vendosë për pjesëmarrjen në samitin në Tiranë. Beogradi është i pakënaqur edhe me reagimin e BE, i cili sipas zyrtarëve serbë është tepër i vakët.