image Lladrovci voton në Shqipëri, kujton ditën e parë kur i torturuar nga Prishtina arriti në Spitalin e Tiranës

Shqipëri

Lladrovci voton në Shqipëri, kujton ditën e parë kur i torturuar nga Prishtina arriti në Spitalin e Tiranës

news image

Sot, kur po mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci me një pjesë të familjes ka shkuar për të votuar në Tiranë. Lladrovci me këtë rast, ka kujtuar ditën e parë kur ka qëndruar në atje.

“Ajo ditë e 1992-tës, mbetet e paharrueshme. Në Tiranë arrita i torturuar rëndë, i sapo liruar nga burgu i Prishtinës. Nga Kosova, me përcjelljen e dy miqve të mi, të Hashimit dhe Kadriut, kemi shkuar drejt në Spitalin e Tiranës”, ka shkruar Lladrovci.

Ai gjithashtu shtoi se beson që vota e tij është në shërbim të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve.

Postimi i plotë:

Tirana, si çdo herë e bukur. Me një pjesë të familjes, kemi kryer detyrimin tonë qytetar, për ta dhënë votën në zgjedhjet vendore. Gjatë votimit e kujtova situatën se si dukej Tirana në ditët e para kur hyra në Tiranë.

Ajo ditë e 1992-tës, mbetet e paharrueshme. Në Tiranë arrita i torturuar rëndë, i sapo liruar nga burgu i Prishtinës. Nga Kosova, me përcjelljen e dy miqve të mi, të Hashimit dhe Kadriut, kemi shkuar drejt në Spitalin e Tiranës. Aty për lëndimet e mia u përkujdesën dr. Shaipi dhe kirurgu Dr. Mustafa Xhani, biri i Baba Faja Martaneshit. Gjithmonë kam ndjenja të fuqishme për Tiranën tonë, zemrën e kombit.

Po, nga ato ditë të vitit 1992, Tirana ka ndryshuar shumë për të mirë. Sot, Tirana ka edhe vlera të shumta kulturore e turistike, ka hyrë në agjendat turistike për t’u vizituar si kryeqytet në konkurrencën globale.

Tirana, çdo ditë po ndryshon për të mirë dhe dinamika e zhvillimit është shumë e madhe. Vota ime besoj të jetë në shërbim të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve që do të krenohen me kryeqytetin shqiptar. Suksese!

/GazetaSinjali/