Rastet e vrasjeve të grave nga burrat e tyre nuk janë të rralla në Kosovë. Madje ato çdo herë shoqërohen me detaje rrëqethëse, e reagime të pa mjaftueshme të forcave të rendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Rasti i fundit që tronditi vendin është vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani të dielën e 22 gushtit në Ferizaj. Ajo u dërgua pa shenja jete nga në emergjencën e këtij qyteti nga Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
Marigona Osmani u vra nga bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa, pasi ky i fundit dyshonte se e ndjera e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij. Kësisoj Krivaqa kishe ushtruar dhunë psike dhe fizike ndaj Marigonës, deri në momentin kur ajo kishte humbur jetën.
Por, vrasja e Marigona Osmanit nuk është ndër të vetmet që kanë tronditur shoqërinë, por dhe themelet e drejtësisë e sigurisë në vendin tonë.
Viti 2011shënoi një tjetër vrasje të një gruaja nga bashkëshorti i saj. Ishte mesditë kur Diana Kastrati u vra nga bashkëshorti i saj Adnan Jashari, vetëm disa metra larg shtëpisë.
Ndonëse kanë kaluar 10 vite që nga vrasja e Diana, i dyshuari kryesor për vrasjen e saj, Adnan Jashari është ende në arrati.
Viti 2015 shënoi edhe dy vrasje tjera po aq kas të rënda e po kaq tronditëse.
Me 23 tetor të vitit 2015 Zejnepe Berisha u vra nga bashkëshorti i saj Nebih Berisha. Vrasja makabër kishte ndodhur në sy të vajzës së tyre të mitur, ku Nebihu kishte goditur 20 herë radhazi , në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale.
Për këtë rast, gjykata kishte vendosur që vrasësi, të dënohet me 12 vjet burgim, por pas presionit dhe analizimit të rrethanave dhe mënyrës së vrasjes ky dënim ishte rritur në 17 vjet burgim.
Por, në këtë vit vendi u trondit me një nga vrasjet më të rënda, atë të 24-vjeçares Donjeta Pajazitaj, nga Strellci i Deçanit. Donjeta u vra nga kushërir i saj Naser Pajazitaj.
Ishte data 9 nëntorë e vitit 2015 kur Donjeta ishte zhdukur, për tu gjetur pas 6 javësh në malet e fshait të saj të lindjes.
Pothuajse 6 vjet pas rastit, gjykata dha verdiktin final në lidhje me këtë vrasje, duke e dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm.
Gushti i vitit 2018 ishte tronditja e radhës, këtë herë Valbona Nderecaj 34-vjeçare u vra së bashku me vajzën e saj 9-vjeçare, nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj.
Në vitin 2018 kishte ndodhur edhe një vrasje e rëndë e një femre. Sevdije Berisha e gjeti vdekjen pasi nga burri i saj, Isen Berisha, e kishte goditur disa herë me sopatë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E gjithë kjo kishte ndodhur derisa ajo ishte në gjumë.
Përveç vrasjes së gruas, Isen Berisha kishte plagosur edhe renë e tij shtatzëne Arlindën e cila ka tentuar ta parandalojë dhunën. Ajo ishte goditur në kokë dhe në krahun e majtë me sopatë.
Një vrasje tjetër që tronditi Kosovën është ajo e Armenda Aliut, gjithashtu nga bashkëshorti i saj, në gusht të vitin 2019.
Çifti kishte pak ditë që kishin ardhur për pushime nga Zvicra në Kosovë. Problemet e çiftit kishin bërë që që 61-vjeçari, të ia marrë jetën me armë zjarri gruas së tij, 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit.
Policia kishte gjetur 15 gëzhoja plumbash në vendin e ngjarjes, të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.
Nga plagët e rënda të shkaktuar nga goditjet me shufër metalike, vdekjen e kishte gjetur edhe Sabile Mavrovqani nga Kamenica.
Ajo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj Nuhiu, në korrik të vitit 2020. Sipas aktakuzës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën, ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Nuhi Mavrovqani kishte pranuar veprën e kryer, derisa është dënuar me burgim të përjetshëm.
Kurse me 14 mars të këtij viti Sebahate Sopi u vra nga burri i saj Lulëzim Sopi, për siç pati njoftuar policia në atë kohë, motive xhelozie.
Sebahate Sopi e kishte denoncuar tri herë në polici burrin e saj për dhunë në familje, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.