image Specialisti i mjekësisë emergjente: Marigona Osmani kishte ndërruar jetë para se të sillej në spital

Drejtësi

Specialisti i mjekësisë emergjente: Marigona Osmani kishte ndërruar jetë para se të sillej në spital

news image

Specialisti i mjekësisë emergjente, Burim Maloku tha se e ndjera ishte sjellë nga dy djem para spitalit pa shenja jete. Ai këtë deklarim e bëri të enjten në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku Dardan Krivaqa bashkë me Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit.

Dëshmitari Burim Maloku i cili është specialist i mjekësisë emergjente gjatë deklaratës së tij tha se personalisht kishte dal për t’i kërkuar Krivaqën dhe Sejdiun, mirëpo shtoi se të njëjtit nuk ishin aty dhe se i ka pa duke u larguar nga spitali.

Kështu, i njëjti tha se ekipa e ka thirr Policinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Kur i kam drejtuar dritën në sy të ndjerës kam vërejtur se bebëzat e syrit i ka pas shumë të zmadhuara, dhe kam konstatuar se nuk ka qenë e nevojshme të vazhdohet më tej me procedurën e reanimacionit”, ka thënë Maloku

I pyetur nga mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Gazmend Rexhepi, se në çfarë gjendje kishte qenë viktima, a kishte qenë e lagur në fytyrë dhe flokët, dëshmitari Maloku u përgjigj se detajet nuk i kujtohen.

Po ashtu, në këtë seancë u dëgjua edhe eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili tha se qëndron në tërësi pranë raportit të detajuar.

I njëjti tha se ka kryer autopsinë për këtë rast ndërsa raportin e ka dorëzuar në prokurori.

I pyetur nga prokurori Valdet Avdiu se në çfarë gjendje ishte viktima, eksperti Haliti tha se gjendja e saj ka qenë një kufomë për të cilën gjithë të gjeturat janë paraqitur të detajuara në raport.

“Bazuar në ekzaminimin e jashtëm dhe të brendshëm të kufomës dhe analizat e tjera përcjellëse, konkludojmë se vdekja e të ndjerës ka qenë e dhunshme dhe ka ardh si pasojë e politraumës” ka thënë eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti.

Tutje, eksperti ka elaboruar raportin e tij duke shtuar se në kuadër të të gjeturave vdekja e të ndjerës ka ardhë si pasojë e shokut  hemorragjik dhe asfiksisë, si dhe traumave të cilat kanë ardhë si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme, ku sipas të njëjtit të gjitha janë të përshkruara detajisht në raportin mjeko-ligjor.

“Lëndimet kanë qenë të shkaktuara nga mjetet prehëse dhe goditjeve siç janë shtypjet dhe përplasjet, konkludojmë se kanë qenë mbi 12 thyerje në trup”, tha eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti.

Eksperti shtoi se sipas analizave të gjakut të cilat janë nxjerra nga laboratori, nga gjetjet ka rezultuar se viktima ka përdorur tramadol i cili shërben si qetësues për dhimbje.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, Krivaqa tha se tani e ndjera, Marigona Osmani e kishte pranuar se e kishte tradhtuar me djalin e dajës se tij, ndërsa ky i fundit e kishte mohuar një gjë të tillë.

/GazetaSinjali/