image Vrasja tragjike në Batllavë/ Krejt çka dihet deri tani

Siguri

Vrasja tragjike në Batllavë/ Krejt çka dihet deri tani

news image

Dje një 41-vjeçar me inicialet G.B. është qëlluar për vdekje me armë zjarri në Batllavë të Podujevës, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka treguar se i dyshuari për këtë rast është 47-vjeçari me inicialet B.B. i cili është arrestuar dje rreth orës 08:00 në Gërdoc të Podujevës.

Por Gazeta Sinjali ka mësuar se viktima Gazmend Brahimi dyshohet që u vra nga familjari i tij, Baki Brahimi, 48-vjeçar.

E gjithë ngjarja dyshohet se nisi për mosmarrëveshje për pronë, por që përfundoi me vrasje, njoftojnë burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë.

Pasi u arrestua, i dyshuari Baki Brahimi ka deklaruar se në rrugën e fshatit Batllavë-Podujevë ka hasur në viktimën Gazmend Brahimi, të cilin më pas e ka vrarë.

Baki Brahimi me vendim të prokurorit tashmë është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike, ka folur një familjar i dy palëve. Ai ka thënë se vrasja ka ndodhur për “tre kilogramë pasul”. Sipas tij konflikti mes viktimës dhe të dyshuarit ka filluar që dje dhe për këtë ka qenë e informuar Policia e Kosovës.

“Dje ka ndodhë ishin kon rreh edhe ish kon gju me armë. Kanë ardhë policia tek ta edhe jam shku qaty, kam bisedu me ta thanë me arrest qata që ka gjuajtur që është tash në burg, mirëpo s’ju ka dorëzu policisë.

Arsyeja ka qenë tri kilogram pasul ja paska marrë shoqi-shoqit. Një lopë ka hi në pasul të Besnik Brahimit, lopa e këtij të vrarit,  tash ka ardhë konflikti deri qitu te vrasja.”, tha ai në Klan Kosova.

Por për këtë mosmarrëveshje, viktima kishte raportuar në polici një ditë para se të ndodhte rasti tragjik (e hënë).

Ndërsa, për këtë ka folur edhe një grua, që ka qenë dëshmitare e rastit.

“I thashë: Çka ka ndodhur. Më tha: E vrava. E pyeta: Pse? Më tha se moti e ka kërkuar”.

Dëshmitarja thotë se nuk e kishte parë viktimën, por vetëm autorin, i cili me armë në dorë ecte drejt automjetit të tij.

“Jo, nuk e kam parë atë personin me biçikletë, por vetëm autorin e vrasjes. Ai me armë në dorë shkonte në drejtim të automjetit”, tha ajo për Klan Kosova.

Gruaja tregon se si kishte dëgjuar krismën e armës.

“Jam zgjuar në mëngjes. E kam bërë gati kafen, jam ulur ta pijë dhe e kam dëgjuar një krismë. E kam hapur dritaren dhe jam dal, e kam parë matanë urës një biçikletë që është rrëzuar. Prita që po del personi i cili ka qenë me atë biçikletë, por doli ai i cili e ka vrarë”, u shpreh ajo.

Ndërsa nga Prokuroria Themelore e  Prishtinës kanë dhënë detaje për Sinjalin.

“Ju njoftojme se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve te Renda ka dale ne vendin e ngjarjes. Ekipi mjekesor ka konstatuar se nje person ka vdekur nga plaget e shkaktuara nga arma e zjarrit. Me aktvendim te prokurorit i dyshuari eshte ndaluar ne kohezgjatje prej 48 oresh, per shkak te dyshimit se i njejti ka kryer vepren penale “Vrasja e rende”. Prokuroria ne koordinim me policine jane duke ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim te sqarimin te rrethanave te ketij rasti“, kanë thënë nga kjo Prokurori për Sinjalin. /GazetaSinjali/