Podujeva më 11 shtator u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”. Një person e shndërroi atë pjesë në skenë krimi, pasi që plumbat që u shkrepën nga dy armët e lanë të vdekur 34-vjeçarin, Valmir Breznica dhe të plagosur bashkëshorten e tij. Një person që dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, Arsim Syla, tashmë është arrestuar, teksa dorasi akoma nuk është kapur, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërsa, pak minuta më parë, Policia e Kosovës ka publikuar fotografi të dyshuarit për rastin e lartë cekur, teksa ka njoftuar se njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit të dyshuar
“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovë.
Sinjali ka raportuar detaje ekskluzive se si ndodhi ngjarja si në filma në Podujevë
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se ekzekutimi i të riut, që njihej me nofkën “Dhija” ka ndodhur si në filma. Të shtënat tragjike nga dy armët që i përdori i dyshuari kryesor e lanë të vdekur në vend, pasi u qëllua rreth 8 herë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari që e vrau viktimën, e ka gjuajtur fillimisht disa herë me njërën armë e më pas ka nxjerrë armën tjetër, duke e gjuajtur sërish, plumba këta që ishin tragjik për Breznicën.
Kush dyshohet se e ndihmoi dorasin për ta kryer veprën?
Sinjali sot raportoi se i dyshuari që tashmë është arrestuar, Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.
Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.
Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, (34-vjeçar) i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me burrin e saj në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo, por fatmirësisht ka shpëtuar.
Ndërkohë, Raporto24 ka publikuar disa fotografi, ku shihet personi i dyshuar duke nxjerrë armën, me të cilën vrau më pas të riun.
Lidhur me incidentin tragjik janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.
Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.