Në pasditen e djeshme, Mentor Kajtazi (30 vjeç) mbeti i vrarë pasi u qëllua nga Florim Bunjaku (34 vjeç). I gjithë rasti ndodhi në fshatin Pakashticë të Podujevës, shkruan Gazeta Sinjali.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i tha Sinjalit se vrasja kishte ndodhur në mal, ndërsa ende nuk dihet motivi.
“Po, vrasja ka ndodhur në Pakashticë, në mal. Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për t’i sqaruar rrethanat e rastit. Ende nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja, sapo të kemi diçka konkrete, do t’ju njoftojmë me kohë.”
Ndërsa sipas njoftimit të Policisë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë gjuetie.
“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar: F.B mashkull 34 vjeç.”
“Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se hetuesit policorë janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/