Është deklaruar berberi i lokalit ku dyshohet se nisi zënka që çoi në vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, vrasje kjo që tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit, raporton Gazeta Sinjali.
Në deklarimin e berberit i cili nuk e bëri të ditur identitetin, lihet dyshimi se përveç konfliktit në lokal, i cili tashmë dihet, mund të ketë ndodhur edhe diçka tjetër mes dy palëve jashtë lokalit të tij, pasi siç shprehet ai aty palët ishin ndarë në paqe nga të pranishmit teksa shton se vrasja ndodhi një ditë më pas.
“Rasti ka ndodh për shkak të rendit. Ka pas fjalosje pak në lokal temin, por diçka serioze nuk ka pas. Viktima u ardhë masanej (pas të dyshuarve), janë kap qashtu për rend. Fjala e parë u kanë ‘unë jam në rend’, tani ‘jo pse po pi cigare ti’, ‘s’muj me pritë unë në rend’, qështu. Tani i kemi nda dy palët. Nuk e di a janë shty me krah se unë kam vazhdu punën tem, ai (Lulzimi) ka toleru, shkurt. Ka ecë…përjashta çka kanë bo nuk e di, kjo punë ka ndodh mas një dite, e shtunë u kanë kur janë kanë te unë, të dielën ka ndodh rasti. Në lokal temin s’ka pas diçka serioze hiç, me fjalë të mira i kena nda dy palët. Mas një dite çka ka ndodh unë se di”, u shpreh ai për lajmi.net.
Siç ka deklaruar axha i Lulzimit, Rrahim Fejzullahu i cili edhe e kishte rritur tashmë të ndjerin që ishte jetim, Lulzimi kur kishte shkuar tek berberi e kishte gjetur karrigen e lirë, me ç’rast edhe ishte ulur për t’u qethur, gjë që kishte irrituar dy autorët e krimit.
Çka dihet deri më tani?
Për këtë rast atë ditë, kishte dhënë detaje Policia, ku sipas raportit viktima ishte therur me thikë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, zbulonte raporti.
Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast pas ngjarjes, kur viktima u dërgua në spital për shkak të lëndimeve serioze që pësoi.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).
Se të miturit e goditën me shkop 18 vjeçarin e konfirmoi edhe video e cila u publikua sot.
Aty shihet se si dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen fillimisht e godasin me veturë dhe më pas e rrahin me shkop të riun nga Podujeva i cili u varros sot.
“Ju kalltë zemra”, reagimet e familjarëve
Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një fjalosje me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
“Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë puntorë, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha axha i Lulzimit.
Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike.
“Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.