image Ky është logopedi që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj 4-vjeçares që e trajtonte, ndalohet për 48 orë

Siguri

Ky është logopedi që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj 4-vjeçares që e trajtonte, ndalohet për 48 orë

news image

Një rast i tmerrshëm ka ndodhur të shtunën në ordinancën private “Logomedicus” në Podujevë, ku një logoped po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një vajzë 4-vjeçare, teksa po e trajtonte në këtë qendër, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Besart Sokolin, i cili tashmë është arrestuar dhe ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Sinjali mëson se Sokoli është denoncuar nga nëna e 4-vjeçares, e cila ka raportuar se logopedi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bijës së saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë dhënies së deklaratës e ka pranuar se ia ka shkulur flokët derisa ka qenë duke e trajtuar.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore per zbardhjen e rrethanave të rastit.

Lajmi për Sinjalin është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Podujevë 12.08.2023-11:30.  Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ndaj vajzës së saj të mitur ishte ushtruar dhunë fizike (kapur për flokësh)  nga logopedi,  i dyshuari mashkull kosovar ku ishte duke u trajtuar viktima. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/