image Vrapohet në përkrahje të fëmijëve me autizëm

Sociale

Vrapohet në përkrahje të fëmijëve me autizëm

news image

Për të tretën herë me radhë është mbajtur minimaratonës humanitare “Vrapo për Autizëm 2022”.

Maratona 5 kilometërshe filloi nga sheshi i kryeqytetit “Ibrahim Rugova”, dhe bashkoi qindra qytetarë, politikanë e personalitete të tjera me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë në përkrahje të fëmijëve me autizëm. Ndërkohë, të gjitha mjetet e gjeneruara nga numrat e blerë për pjesëmarrje në maratonë, do të shkojnë në përkrahje të kësaj kauze.

Organizatori i këtij aktiviteti, Burim Krasniqi tha se qëllimi i aktivitetit është për t’i ndihmuar fëmijët me autizëm, dhe se tashmë ky aktivitet është bërë tradicional.

E kemi bërë për t’i ndihmuar fëmijët me autizëm. Është bërë tradicionale, ky është edicioni i tretë dhe do të vazhdojmë për më tepër. Mendoj se duhet të ketë edhe aktivitete të tjera në shenjë kontributi dhe sensibilizimi për shoqëritë e margjinalizuara”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se si ushtria do t’i përkrahin gjithmonë këto aktivitete, ndërsa ka shtuar se sa më shumë të ketë aktivitete të tilla, është më mire edhe për përgatitje për pjesëmarrjen në ushtrinë në të ardhmen.

Ne i mbështesim këto aktivitete, sa më afër popullit aq është edhe ushtria për gjithë popullin…Ne jemi të interesuar me i mbështet gjithë këto aktivitet prej këndit ushtarak por edhe Ministrisë së Mrojtjes…Me të vërtetë kanë nevojë gjithë kategoritë të kenë mbështetjet tona. Sa më shumë aktivitete sportive të kemi mbarë shtetin tonë, aq më mirë është, sepse edhe më përgatitje për pjesëmarrjen në ushtrinë në të ardhmen për të gjithë”, theksoi Mehaj.

Themeluesja e Qendrës së fëmijëve për Autizem, Shpresa Gjakli, pjesë e këtij aktiviteti është shprehur e lumtur për gjithë ata që i janë bashkangjitur aktivitetit të ditës së sotme.

Procesi i ndihmës edhe qendrave kanë filluar para 12 vitesh. Me vjen mirë me pa se të gjithë po bashkangjiteni për ndihmë të fëmijëve me autizëm”, u shpreh Gjakli.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se të gjithë duhet të kontribuojnë për këtë kategori të shoqerisë.

Edhe unë jap pjesën time modeste të kontributit, por pse jo të gjithë duhet…Ne duhet t’i inkurajomë ata që organizojnë, si rastin Burimit duhet t’i japim këtij përkrahje por edhe gjithë tjerëve në mënyre që t’i nxisim më shumë këto aktivitete, këtë sensibizlizm por edhe përkrahjen pse jo financiare për personat”, u shpreh Haradinaj.

Aktivisti Gjeladin Fazliu, tha se kjo kategori e shoqërisë me autizëm ka nevojë më shumë për përkrahjen tonë, ndërsa ka shtuar se institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Është një organizim jashtëzakonisht i mirë, kur i shohim të gjitha strukturat e shoqërisë që po e përkrahin këtë kategori të veçantë të shoqerisë, siç janë personat me autizëm. Në Kosovë ka rritje të autizmit fatkeqësisht të këtyre kategorive… e cila ka nevojë për përkrahjen tonë… Këto nisma janë jashtëzakonisht të mira për shoqërinë por edhe për institucion, dhe besoj që institucionet i shohin këto nisma dhe besoj që kanë me bo më shumë për këtë kategori”, tha Fazliu, shkruan kp.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe këngëtari kosovar, Mehdin Pergjegjaj. Ai tha për KosovaPress, se është ardhur nga Gjermania vetëm për ta përkrahur këtë aktivitet.

Kam ardhë prej Gjermanie sot me përkrah (aktivitetin) për arsye se këta fëmije me autizëm që është duke u bërë kjo punë për ta, d.m.th. është duke u shtuar numri i tyre, kështu që i nevojitet dikush që t’i mbështet. Ky është një aksion shumë i mirë që mua më ka bërë me qenë prezent sot këtu”, tha ai.

/GazetaSinjali/