image Vonesat e pagave rikthejnë pakënaqësinë në RTK

Kosovë

Vonesat e pagave rikthejnë pakënaqësinë në RTK

news image

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka kërkuar urgjentisht ndërhyrje institucionale nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për mosekzekutimin e pagave të muajit qershor për punonjësit e RTK-së.

“Mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori”.

“Paga është kompensim i fituar me punë, e garantuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Në njoftim thuhet se kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.

“Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate”.

“Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve”.

RTK-ja ka konsideruar se është e papranueshme që transmetuesi publik i vendit të funksionojë në kushte ku punëtorët detyrohen të presin pagat e tyre pa asnjë afat të qartë, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar nga organet drejtuese.

“Kjo gjendje cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, por dëmton edhe besimin në institucionet publike dhe rrezikon funksionimin normal të RTK-së”.

Ndër të tjera, kanë vlerësuar se bordi dhe menaxhmenti i RTK-së kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie.

“Mungesa e informimit publik, heshtja përballë kësaj situate dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e qeverisjes së mirë që duhet të karakterizojnë një institucion publik”.

RTK-ja ka thënë se pret reagim dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet e vendit, në përputhje me përgjegjësinë e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues, të ligjshmërisë dhe të drejtave të qytetarëve.

Edhe në të kaluarën, punonjësit e RTK-së janë përballur me probleme me ekzekutimin e pagave, madje për këtë çështje kanë protestuar disa herë radhazi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/