Aktorja turke Ece Irtem, e njohur për rolin e saj si “Isil” në serialin “Kizilcik Serbeti”, ka ndërruar jetë disa javë më parë në moshën 35-vjeçare.
Fillimisht ishte raportuar se aktorja kishte vdekur si pasojë e një sulmi në zemër, ndërsa më vonë u ngritën dyshime se vdekja e saj mund të kishte lidhje me një kafshim majmuni gjatë një udhëtimi në Tajlandë.
Pas kërkesës për hetime të mëtejshme dhe kryerjes së një autopsie të re, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Turqi ka përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes së aktores.
Sipas raportit mjeko-ligjor, Ece Irtem ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga alkooli etilik.
Në analizat e kryera është konstatuar një nivel i lartë i alkoolit në gjakun e saj, rreth 395 mg/dl, ndërsa ekspertët kanë konkluduar se vdekja ka ardhur si pasojë e helmimit nga etanoli.
Më herët, familja e aktores kishte ngritur dyshime për një lidhje të mundshme mes vdekjes së saj dhe një kafshimi majmuni gjatë pushimeve në Tajlandë, pasi në krahun e saj ishin vërejtur disa shenja.
Avokati i saj kishte kërkuar që edhe kjo mundësi të shqyrtohej gjatë autopsisë, për shkak të rrezikut të komplikimeve të mundshme, përfshirë infeksione të rënda.
Në deklaratën e saj, nëna e aktores kishte treguar se natën para vdekjes kishin qenë në një festë ditëlindjeje dhe më pas ishin kthyer në shtëpi.
Ajo kishte deklaruar se vajza e saj kishte konsumuar shumë alkool dhe përdorte gjithashtu medikamente të forta kundër depresionit.
Sipas rrëfimit të nënës, ajo e kishte gjetur të bijën pa shenja jete mëngjesin e ditës pasuese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!