Hetuesit e Stacionit Policor në Prizren – Veri dje kanë arrestuar një person, i cili dyshohet se e ka vjedhur një veturë me targa vendore në një autolarje në Prizren gjatë ditës së djeshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se personi i dyshuar është Faton Morina, 31 vjeç, i cili dyshohet se e vodhi veturën në pikën e derivateve ku është autolarja.
Sipas Policisë, Morina për ta vjedhur veturën ishte paraqitur rrejshëm si pronar i saj.
Ndërsa Sinjali mëson se Morina para se ta vidhte veturën e kishte harruar telefonin në kafene. Ky veprim i tij, e ka ndihmuar Policinë që ta identifikonte atë.
Policia ka njoftuar se Morina, me vendim të prokurorit, është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh, ndërsa automjeti i është kthyer pronarit.
“Për shkak se i dyshuari me 19.03.2022, në një Autolarje ne Prizren, kishte e vjedhë automjetin me targa vendore duke u prezantua rrejshëm si pronar i automjetit .Personi tani me i arrestuar, intervistohet ne prezence te avokat mbrojtës ne lidhje me rastin. Automjeti i vjedhur sekuestrohet ne ceflisin e provave material nga i dyshuari ku i kthehet pronarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/