image Vlora Çitaku në garë për të parën e PDK-së?

Politikë

Vlora Çitaku në garë për të parën e PDK-së?

news image

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka qenë në mesin e emrave më të përfolur për t’u vendosur në krye të PDK-së, subjekt politik ky që shpalli zgjedhjet e brendshme më 3 korrik, ndonëse nuk u bë publik asnjë kandidat.

Për Çitakun është përfolur në media lidhur me kandidaturën e saj si kryetare e PDK-së, megjithatë deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin ‘Pressing’ në T7 përgjatë mbrëmjes së hënës nuk e përjashtoi si mundësi kandidimin e saj në udhëheqësinë e PDK-së.

Çitaku, megjithatë, mund t’i bashkëngjitet garës. Pas zyrtarizimit të zgjedhjeve të brendshme nga PDK-ja, përfaqësuesja diplomatike e Kosovës në ShBA ishte e para që përshëndeti vendimin e PDK-së, duke thënë se në demokraci roli i opozitës është vital.

“PDK ka bërë hapin e duhur sonte duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë. Lajm jashtëzakonisht i mirë. Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo”, deklaroi ndër të tjera ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, teksa uroi ushtruesin e detyrës për guximin që udhëhoqi partinë në “rrethana krejt të jashtëzakonshme”.

Që është përfolur përbrenda PDK-së që t’i prijë ish-konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork këtij subjekti politik, është theksuar edhe nga kryesia.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se emri i ish-ambasadores kosovare në ShBA, Vlora Çitakut, është përfolur për kryetare të Partisë Demokratike.

“Është diskutuar, ndoshta jozyrtarisht, nuk kemi parë ndonjë ambicie të tyre, por ka qenë e drejtë e tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se për pozitën e kreut të PDK-së nuk është përjashtuar as Gent Cakaj, ish-kryediplomat në Shqipëri.

Vlora Çitaku ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo po ashtu barti pozitën e ministres për Integrime Evropiane nën Qeverinë Thaçi, nga 2011-2014, si dhe ishte ushtruese e detyrës së ministres e Punëve të Jashtme përgjatë viteve 2010-2011.

Çitaku në mars të këtij viti dorëzoi edhe mandatin për ambasador në ShBA, pas akreditimit diplomatik 6-vjeçar për këtë pozitë.

PDK ka njoftuar se do e mbajë Konventën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij fraksioni politik më 3 korrik të këtij viti, përpara se t’i futet garës për zgjedhjet lokale./Gazeta Sinjali/