image Vlora Çitaku e kishte thënë para Kurtit: Serbia duhet të çlirohet nga Kosova

Politikë/ Vlora Çitaku e kishte thënë para Kurtit: Serbia duhet të çlirohet nga Kosova

news image

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, kishte qenë politikanja e parë nga Kosova që kishte thënë që “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova”.

Këtë frazë e tha edhe kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte në Mynih të Gjermanisë në një konferncë për siguri, ku ishte edhe kryeministri serb, Aleksander Vuçiq.

Në fjalimin e tij, Kurti kishte folur edhe për normalizimin final të raporteve Prishtinë-Beograd. Sipas kreut të Lëvizjes Vetëvendosje fuqitë ndërkombëtare e kishin ndihmuar Kosovën që të çlirohej nga Serbia meqë ishte e okupuar ndërsa tashmë thoshte se tashmë është koha që “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova”. Sipas tij sa më parë të ndodhte një gjë e tillë, aq më mirë për të dy shtetet dhe rajonin.

Deklarimet e Kurtit të bëra në atë panel e kishin bërë gjiron në rrjetet sociale dhe gjithashtu kishin nervozuar Vuçiqin i cili donte t’i kundërpërgjigjej menjëherë, megjithatë drejtuesja e panelit nuk ia ka dhënë fjalën.

Megjithatë frazën se “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova” e kishte përdorur e para ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, gjatë një fjalimi të mbajtur në Kombet e Bashkuara më 7 shkurt të vitit 2019.

“Të dashur anëtarë të Këshillit , është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova”, kishte thënë Çitaku në vitin 2019, duke rikujtuar gjithashtu çlirimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1999./Gazeta Sinjali/