image Vlerësohet kontributi i Xhakës dhe Shaqirit për rritjen e Zvicrës: Kjo dyshe e ka bërë kombëtarën top-skuadër

Futboll

Vlerësohet kontributi i Xhakës dhe Shaqirit për rritjen e Zvicrës: Kjo dyshe e ka bërë kombëtarën top-skuadër

news image

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë mbi 200 paraqitje për Përfaqësuesen e Zvicrës së bashku. Për shkak të ndikimit që kanë pasur Xhaka e Shaqiri, mediumi zviceran “bluewin.ch”, ka vlerësuar se kjo dyshe është kryesorja për sukseset e Zvicrës.

Të dielën, Granit Xhaka 31-vjeçar, me shumë gjasë do ta thyejë rekordin e Heinz Hermannit për numrin e ndeshjeve të luajtura me Zvicrën në duelin kundër Bjellorusisë. Zvicra dhe Bjellorusia luajnë të dielën nga ora 18:00, në ndeshjen e Grupit I, kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Zvicra i prinë grupit me 14 pikë, një më shumë se Rumania dhe tri më shumë se Izraeli. Kosova është e katërta me shtatë pikë, Bjellorusia e pesta me pesë pikë, kurse Andorra e fundit ka dy pikë.

Për mesfushorin e Leverkusenit do të ishte paraqitja e 118-të me fanellën e Zvicrës.

“Kjo tregon se sa pak është lënduar ai. Por kjo tregon edhe formën e vazhdueshme që ai ka pasur në paraqitjet e tij. Por e tregon edhe se sa i rëndësishëm ka qenë ai për skuadrat ku ka luajtur dhe për të gjithë në periudhën e tij”, ka thënë eksperti i futbollit në mediumin “blueSport”, Marco Streller.

Qëkur Xhaka debutoi në vitin 2011 në ekipin përfaqësues, Zvicra vetëm një herë ka dështuar të kualifikohet në një ngjarje të madhe. Zvicra mungoi në “Euro 2012” në Poloni dhe Ukrainë. “Helvetikët” u kualifikuan deri në 1/8 e finales në tri botërorët e fundit, ndërsa ishin çerekfinalistë të “Euro 2020”, por u mposhtën nga Spanja në penallti.

Granit Xhaka ka luajtur rol kyç në këto suksese. Ai ishte lider i skuadrës, ka shkruar mediumi zviceran të shtunën.

Por Xhaka këtë nuk e ka bërë i vetëm. Bashkë me Xherdan Shaqirin 32-vjeçar, i kanë sjellë skuadrës qetësinë në momentet më të nxehta të ndeshjeve.

“Këta të dy kanë marrë shumë përgjegjësi, që nga mosha e re. Kur ndonjëherë shkon diçka keq, ata e kanë fajin, e kjo nuk është në rregull”, ka thënë ai, duke folur edhe për ndikimin që Xhaka e Shaqiri kanë pasur në skuadrat e tyre dhe te Përfaqësuesja e Zvicrës.

“Në anën tjetër, kjo dyshe ka bërë diferencën dhe për këtë arsye, Zvicra është bërë top-skuadër në vitet e fundit”, ka shtuar ai.

Shaqiri e ka vetëm një ndeshje më pak të luajtur sesa Xhaka me Përfaqësuesen e Zvicrës. Edhe ai pritet që ta thyejë rekordin e Heinz Hermannit. Por çfarë do të ndodhë pas Kampionatit Evropian në Gjermani? A mund të jetë ajo ngjarja e fundit për të dy futbollistët, ka pyetur mediumi “blueWin”, për shkak se të dy janë mbi 30-vjeçar.

“Çështja është për Shaqirin se si do ta vazhdojë karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me angazhimin në përfaqësuese, më mirë ndoshta për të do të ishte të luante në Evropë sërish. Ndërsa Xhaka është në formën jetësore tash e disa vjet. Te Leverkuseni tani është copëza që mungonte, dhe për këtë arsye skuadra po bën mirë. Ndoshta nuk është adresa e tij e fundit dhe ai mund të jetë pjesë e skuadrës përfaqësuese edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kapiteni dhe mesfushori qendror, Xhaka, në 117 ndeshje të luajtura me Zvicrën, ka shënuar 14 gola në total.

Nga ana tjetër, Shaqiri ka kontribuuar me 28 gola në 116 ndeshje.

Zvicra në këtë cikël eliminator të Evropianit, pas ndeshjes me Bjellorusinë, ka edhe tri ndeshje të tjera për t’i luajtur. Në muajin nëntor luan kundër Izraelit në udhëtim, kundër Kosovës në shtëpi, dhe i mbyll kualifikimet si mysafire e Rumanisë.

/GazetaSinjaliSport/