Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk duhet të jap dorëheqje, sepse në momentin që ai emërohet ministër, i përfundon mandati dhe largohet nga pozita e kryeparlamentarit.
“Sa i përket Konjufcës, ai do të largohet nga pozita e tij pas të zgjidhet ministër. Sepse mandati i tij përfundon në momentin kur të zgjidhet ministër. Në momentin që votohet për ministër, pozita e tij mbetet vakante. Por kur do të ndodh kjo, do të mbetet në koordinim të grupeve tona parlamentare”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë që është e lumtur që një pjesë e madhe e programit qeverisës së prezantuar nga Kurti është hartuar nga LDK-ja.
“I gjithë programi i propozuar sot është program i hartuar bashkarisht. Unë jam ndier krenare sot që mandatari për kryeministër ka prezantuar një pjesë të madhe të programit që unë e kam prezantuar para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Pozitën e kryeparlamentarit pritet ta zë Vjosa Osmani, ndërkohë Konjufca është propozuar nga Kurti si kandidat për Ministër të Punëve të Jashtme./Gazeta Sinjali/