Ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua sot pasdite me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e Miqësisë për Kosovën, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani ka theksuar se në raportin e ardhshëm të Parlamentit Evropian për Kosovën do të ishte mirë të kërkohet në mënyrë eksplicite njohja nga 5 vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Më tej, Osmani ka falënderuar BE-në për mbështetjen e Kosovës në përballje me pandeminë, teksa në këtë kontekst ka kërkuar mbështetje edhe në monitorimin e procesit zgjedhor në funksion të ruajtjes së kredibilitetit dhe besueshmërisë së këtij procesi.
Gjatë takimit u diskutua se prioritetet e Kosovës duhet të jenë investimi në shëndetësi, arsim dhe punësim të të rinjve, për ta krijuar një mjedis ku ata nuk duan ta braktisin vendin.
Po ashtu u diskutua për përgatitjet që po bëhen për procesin zgjedhor dhe rëndësinë e krijimit të institucioneve të fuqishme e përfaqësuese, si rezultat i këtyre zgjedhjeve.
Përgjatë bashkëbisedimit u theksuan edhe sfidat në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërkaq Osmani potencoi parimet që duhet të jenë udhërrëfyes në këtë proces. Sipas saj, vendi ka nevojë të përfaqësohet nga një Qeveri legjitime, e cila do ta mbrojë integritetin territorial, sovranitetin e Kosovës si dhe rregullimin kushtetutes të vendit.