Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, gjatë vizitës që i ka bërë FSK-së në 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka thënë që është bashkëshortja e një ushtaraku dhe se uniformën e FSK-së e mbanë në shtëpi me krenari.
Gjithashtu Osmani është shprehur se vajzat dhe djemtë e Forcave tona, janë krenaria e vendit tonë.
“Si bashkëshorte e një ushtaraku mbaj me krenari uniformën e forcave tona në shtëpinë tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për ti shërbyer vendit”, ka thënë Osmani gjatë ceremonisë.
Ajo gjithashtu ka theksuar se Ushtria e Kosovës është produkt i luftës për liri dhe miqësisë së hershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimin Europian.
“Ushtria e Kosovës është produkt i luftës për liri, i rezistencës të një populli të tërë, i gjakut të dëshmorëve por edhe i miqësisë së hershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që ishte nisur si mision strategjik, nga presidenti ynë, doktor Rugova”, është shprehur Osmani.
Osmani ka vlerësuar djemt dhe vajzat e reja që shërbejnë në Ushtrinë e Kosovës, duke bërë krenarë vendin tonë./ Gazeta Sinjali/-