Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas raportimeve në media se ajo ka blerë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie.
Sipas saj, kjo nuk është e vertetë, ndërsa ka shtuar se do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor ndaj shpifjeve të tilla, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk është blerë tokë në kohë pandemie. Deklarimi i pasurisë është i vitit 2019. Pas njëzet vjet pune në Kosovë, Shtete të Bashkuara e në Australi, si dhe me kredi të shumta, unë e bashkëshorti im kemi arritur të kursejmë për të kontraktuar një shtëpi, e cila akoma është në ndërtim e sipër. Ajo shtëpi është kontraktuar në vitin 2019, PRA JO NË KOHË PANDEMIE”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.
Më tej, kryeparlamentarja Osmani ka kërkuar nga të gjitha mediat që ta largojnë këtë siç e quan ajo, shpifje nga portalet e televizionet e tyre dhe ta publikojnë demantin e saj.
“Gjithashtu kërkoj nga analistët që më quajtën kriminele, hajn, abuzuese e cka jo tjetër, të tërheqin shpifjen, të kërkojnë falje dhe të publikojnë demantin. Natyrisht që nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të jem e detyruar që të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të mbrojtur integritetin tim dhe të familjës sime”, ka shkruar ndër të tjera ajo./Gazeta Sinjali/