image Vjosa Osmani paralajmëron padi ndaj RTK-së për shpifje

Kosovë

Zgjedhje/ Vjosa Osmani paralajmëron padi ndaj RTK-së për shpifje

news image

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se do ta padisë, Radio Televizionin e Kosovës (RTK), për shpifje, lajme të rreme, anshmëri politike dhe për shkelje të rëndë të standardeve profesionale.

Osmani ka thënë se lajmeve nga RTK-ja për të nuk duhet të iu besohet pasi që sipas saj janë shpifje. Ka thënë se lidhjet e saj me Rusinë nuk i besojnë as mediumet që i shkruajnë dhe as qytetarët e Kosovës.

“I njoftoj qytetarët e Kosovës, që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme të RTK-së dhe portaleve të pushtetit në ikje, të cilat në mënyrën më të ulët të mundshme po shpifin kundër meje dhe familjes time. Shpifjet për lidhjet e mia me Rusinë nuk i besojnë as ata vetë, lëre më qytetarët e Kosovës që më njohin mirë dhe më njohin gjatë. I njoftoj qytetarët se sot kam autorizuar avokatin e familjes për të përgatitur padi kundër RTK-së, e cili shpenzon 15 milionë euro taksa të qytetarëve të Kosovës në vit, ndërsa është vënë komplet në shërbim propagandues të nëntokës dhe pushtetit në ikje”, ka thënë Osmani.

Osmani ka deklaruar se sipas saj shpifjet janë duke u bërë ndaj saj për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen më 6 tetor.

 “I njoftoj qytetarët se këto shpifje të ulëta vijnë nga frika e dënimit që do të marrin të dielën me votën e qytetarëve. I ftoj qytetarët që të çojnë në vend përcaktimin e vullnetit të tyre politik, për ndryshimin e madh dhe çlirimin e dytë të Kosovës që do të ndodhë të dielën”, tha Osmani./Gazeta Sinjali/