Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke folur para mediave për të njoftuar se është bërë ndarja e Komisioneve Parlamentare.
Koalicioni LVV – LDK, bashkë me minoritetet, do të udhëheqë 8 nga gjithsej 14 komisionet.
“Kemi vendosur me unanimitet të plotë të anëtarëve të kryesisë së Kuvendit të cilët ishin prezent në mbledhje, që të përcjellim propozimin e konsituimit të komisioneve për seancën e radhës e cila do të mbahet të enjten. Meqenëse është zvogëluar numri i komisioneve parlamentare nga 16 siç e parasheh rregullorja në 14, atëherë kjo nënkupton që do të kemi votim me 2/3 në seancën e kuvendit”.
“Grupet Parlamentare që ishin prezent e bënë përzgjedhjen e tyre dhe me pajtimin e tyre dhe të anëtarëve të kryesisë vendosëm që partisë e cila nuk ishte prezentë, pra PDK-së i kanë mbetur dy komisionet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e punës së qeverisë, pra mbikëqyrja për financa publike dhe agjension të inteligjencës si dhe një komision i tretë. Partitë e tjera kanë bërë përzgjedhjen e tyre sipas radhës dhe sipas formulës së miratuar”, deklaroi Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani deklaroi se përveç komisioneve parlamentare, është bërë edhe përzgjedhja e nënkryetarëve dhe komunitetiteve joshumicë do t’i dërgojnë emrat e nënkryetarëve nga radhët e tyre deri nesër.
“Është bërë përzgjedhja e nënkryetarëve, ndërsa komuniteteve joshumicë do tu dërgojmë emrat e nënkryetarëve deri nesër. U pajtuam të gjithë që seanca të mbahet të enjten dhe do të synojmë të mbajmë seancë çdo të enjte. Kurse nga Grupet Parlamentare kemi kërkuar mirëkuptim që t’i dërgojnë emrat e anëtarëve të tyre deri të mërkurën në mënyrë që përbërja e plotë e komisonet parlamentare të votohet ashtu siç e kërkon rregullorja e Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Osmani tutje tha se është e bindur që të gjitha procedurat kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi./GazetaSinjali/