image Vjosa Osmani mban fjalimin e parë si presidente, bën thirrje për unitet

Politikë

Vjosa Osmani mban fjalimin e parë si presidente, bën thirrje për unitet

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sapo është zgjedhur në këtë post ka mbajtur një fjalim, shkruan Gazeta Sinjali.

Është nder i madh që me bekimin tuaj e vullnetin e qytetarëve t’ju drejtohem juve dhe kam nderin ta udhëheq vendin për 5 vjet. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj. Është ditë ku vullneti juaj qytetarë i shprehur me 14 shkurt po plotësohet. Është dita e Kosovës sepse përfaqësuesit tuaj po vendosin ashtu siç deshët ju. Në këtë ditë, përkushtimi juaj po jetësohet”, tha Osmani.

Osmani tha se sot po hapet rruga për një sukses të Kosovës.

Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një presidente grua. Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato dëshirojnë e ëndërrojnë”, tha ajo.

Presidentja Osmani ka përmendur deputeten Vasfije Krasniqin duke thënë se ajo është forca e dhimbja e përbashkët.

Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengen se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Ajo ka thënë se historia jonë është histori e përkushtimit.

Osmani ka shtuar se duhet kujtuar trimëria e jashtëzakonshme dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe secilit ushtar, dëshmorë e hero që sakrifikuan për vendin.

Ajo tutje ka përmendur edhe ushtarët që janë nisur në misionin e parë jashtë vendit.

Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ushtria me besimin më të madh qytetar. Historia jonë krahas dhimbjes është histori i ngadhënjimit mbi të keqen, ne do t’u jemi mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës. Ata duhet të qëndrojnë pranë nesh në mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në mesin e aleatëve të shumtë janë tri shtylla, SHBA, BE-ja dhe Republika e Shqipërisë. Si presidente e Kosovës, shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë politikanët të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit e tolerancës”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se ajo udhëhiqet nga vullneti i qytetarëve.

Ajo ka thënë se drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të vihen para drejtësisë.

Ajo tha gjithashtu se dialogu është rruga përpara porse ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Osmani ka thënë se sfida me pandeminë është ajo që duhet pasur prioritet.

Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk është vetëm e njërës palë. Kemi humbur shumë jetë njerëzish e të tjera mund t’i humbim”, ka thënë ajo.

/Gazeta Sinjali/