image Vjosa Osmani ia tregon kushtin ambasadorit gjerman për heqjen e taksës ndaj Serbisë

Kosovë

Takim/ Vjosa Osmani ia tregon kushtin ambasadorit gjerman për heqjen e taksës ndaj Serbisë

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin gjerman, Christian Heldt, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve.

Mirëpo, pjesë e këtij diskutimi ishte edhe tarifa e vendosur nga ish-qeveria Haradinaj, për të cilën u pyet nga gazetarët se çfarë do të ndodhë sa i përket kësaj çështje, për të cilën Osmani tha se do të zëvendësohet me masat e reciprocitetit.

“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet  me masat e reciprocitetit. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohen në këtë parim, të cilin e aplikon çdo shtet demokratik”, ka thënë Kryeparlamentarja Osmani.

Ajo tutje shtoi se për t’u larguar kjo taksë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën e ç’njohjeve, të cilën sipas Osmanit, po e bën përmes metodave ilegale, duke e minuar rëndësinë e dialogut.

“Për t’u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan, Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e ç’njohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut. Ne s’kemi qenë pengesë për dialogun, pra do të punojmë me deputetë të opozitës që të kenë transparencë të plotë në këtë proces, atëherë mund të presim që të kemi sukses në proces”, ka përfunduar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, në këtë takim ka njoftuar se i është mirënjohëse Heldtit për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë vendit tonë./GazetaSinjali/