Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, ia përcolli kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, urimet e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Austrisë, Wolfgang Sobotka.
Siç bën me dije zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, Weidinger e nënvizoi miqësinë e vazhdueshme të Austrisë dhe e siguroi Osmanin për përkrahjen e mëtejme të shtetit të tij për Kosovën.
Ambasadori austriak e siguroi Osmanin se qeveria e re e Austrisë do të vazhdojë ta përkrahë edhe më tej Kosovën.
Osmani, në anën tjetër, e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe theksoi se Austria mbetet partner i rëndësishëm për popullin e Kosovës dhe se Kosova llogarit në bashkëpunimin e vazhdueshëm me shtetin austriak.
Ajo kërkoi që Austria të ndikojë në liberalizimin e vizave, pasi që, siç u shpreh ajo, “vendi tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por qytetarët tanë po mbahen ende të izoluar”.
Theks të veçantë bashkëbiseduesit i kushtuan bashkëpunimit në fushë të diplomacisë parlamentare.
Osmani e siguroi Waidingerin se si përfaqësuese e popullit ajo do të ndikojë që Kuvendi t’i mbajë dyert të hapura për qytetarët dhe se do të jetë garantues i mbrojtjes së lirive dhe i të drejtave të tyre.