Partia Demokratike e Kosovës, përmes shefit të Grupit Parlamentar në Kuvend, Bedri Hamzës, ka vendosur të tërhiqet nga dy projektligjet e propozuara, pasi kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e ndaloi hedhjen e tyre në votim.
Hamza tha se meqenëse nuk ka pajtueshmëri, po tërhiqen nga projektligjii për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19 si dhe projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, raporton Gazeta Sinjali.
“Ne tërhiqemi meqenëse nuk ka pajtueshmëri që këto projektligje të propozuara të futen në rend të ditës, të trajtohen dhe të aprovohen nga ky Kuvend”, tha Hamza.
Në anën tjetër, Osmani rikujtoi se nuk mund t’i procedojë këto dy projektligje.
“Komentari i Kushtetutës thotë që nuk kemi të drejtë të vendosim pika të reja të rendit të ditës”, tha ajo.
Me këtë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani mbylli punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme. /Gazeta Sinjali/