Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se sot kanë iniciuar procedurat për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do të emërtohet me emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, shkruan Gazeta Sinjali.
Osmani tha se me këtë akt niset një traditë e vyer e ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore.
“Me këtë akt ne nisim një traditë të vyer të ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore. Bibliotekat, krahas arkivave e muzeve, ruajnë kujtesën e një populli dhe e mbajnë të gjallë vetëdijen për shtetin. Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” do ta jetësojë kujtesën tonë për njërin ndër institucionet themelore të vendit, Presidencën e Kosovës”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.
“Krahas akteve presidenciale, vendimeve, dekreteve, dhuratave, shkresave zyrtare e fotografive, biblioteka do ta mbledhë edhe krijimtarinë e dr. Rugovës, përfshirë librat dhe dorëshkrimet e dr. Rugovës, si dhe njësi të shumta bibliografike për të. Së shpejti, biblioteka do të përfshijë edhe koleksione të tjera të veçanta. Modeli i bibliotekave presidenciale është traditë edhe në SHBA, shtet me të cilën kultivojmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka shkruar Osmani.