Presidentja Vjosa Osmani, ka arritur në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, ku ndodhet në mesin e 44 krerëve të vendeve të kontinentit evropian.
Osmani ka thënë se është atje për të përfaqësuar Kosovën dhe se është e rëndësishme se të gjithë ndjehen të barabartë.
“Është ditë e rëndësishme për kontinentin tonë. Jam këtu për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë platformë të re e të rëndësishme ku të gjithë ne jemi të barabartë dhe do të kemi mundësinë për t’u dëgjuar zërat tonë, si dhe për të sjellë ide dhe për të marrë pjesë në veprime kur vjen puna te sfidat e përbashkëta”.
Samiti do të fillojë nga ora 13:00, raporton Sinjali.
Osmani në Pragë do të zhvillojë takime me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ky samit u ftua nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.