image Vjena të martën shënon përvjetorin e parë të sulmit terrorist

Evropë

Vjena të martën shënon përvjetorin e parë të sulmit terrorist

news image

E martë, më 2 nëntor, do të shënohet përvjetori i parë i natës së terrorit në Vjenë. Krerët e Republikës do të përkujtojnë viktimat në qendër të qytetit.

Ceremonia përkujtimore, e cila do të zhvillohet në orët e vona në kishën “Ruprechtskirche”, të udhëhequr nga kardinali Christoph Schönborn, do të mbledhë së bashku të gjithë krerët e lartë të shtetit austriak, nga presidenti federal, Alexander Van der Bellen, kancelari Alexander Schallenberg, kryetari i Parlamentit,  Wolfgang Sobotka, si dhe kryetari i Bashkisë së Vjenës, Michael Ludwig, raporton albinfo.

Pak ditë para përvjetorit të sulmit të tmerrshëm terrorist në Vjenë, i cili vrau 4 persona dhe plagosi 23 të tjerë, kryetari i Bashkisë së Vjenës ka deklaruar se qyteti i Vjenës do të paraqesë një analizë të parandalimit të ekstremizmit.

“Si qytet, ne duam të dimë nëse masat që po marrim për të parandaluar akte të tilla të çmendura janë efektive apo kanë kuptim. Dhe sigurisht duhet të dimë se ku dhe si mund të përmirësohemi”, ka thënë ai.

Për këtë arsye, vitin e kaluar qyteti i Vjenës ka emëruar shkencëtarin e njohur, Nikolaus Stockhammer, nga i cili kërkon të vlerësojë masat në fushën e parandalimit të ekstremizmit./GazetaSinjali/