Gazeta Sinjali sot raportoi se si dy zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë keqtrajtuar dy femra në Vushtrri, të cilat dyshohet se janë të mitura.
E për këtë rast pati reagime të ndryshme në gjithë vendin.
Një reagim e ka bërë edhe ministri në detyrë i MPB-së, Agim Veliu, përmes një postimi në Facebook, i cili tha se Policia e Kosovës është një institucion profesional kredibil dhe gëzon besueshmërinë e lartë të qytetarëve të Kosovës.
Ai po ashtu u shpreh se rastet e incidenteve mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve fatkeqësisht po ndodhin, e sipas tij, prandaj ekzistojnë edhe mekanizmat mbikëqyrës që monitorojnë dhe kontrollojnë punën policore.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme kërkova menjëherë nga Inspektorati Policor që të filloj hetimet në lidhje me rastin e fundit ashtu siç ka hetuar edhe rastet e tjera dhe dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës se Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë si Ministër do të sigurohemi që Policia e Kosovës të reflektojë profesionalizëm, transparencë dhe respektim të drejtave të njeriut pa dallim”, shkroi ai.
” Trajtimi situatave të ndryshme duhet të bëhet duke ruajtur vlerat demokratike dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut,ky është dhe do të jetë imperativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, përfundoi ai.