image Vjen reagimi i parë nga Qeveria Kurti për liturgjinë që u mbajt sot në kishën serbe, në kampusin e UP-së

Sociale

Vjen reagimi i parë nga Qeveria Kurti për liturgjinë që u mbajt sot në kishën serbe, në kampusin e UP-së

news image

Sot, në kishën e papërfunduar serbe e cila ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, është mbajtur një liturgji, për herë të parë që nga viti 1998, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë liturgji pati reagime të shumta, por jo edhe nga Qeveria e Kosovës.

Reagimi i parë dhe i vetëm deri tani nga kabineti i Kurtit ishte ai i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut.

Çeku e ka vlerësuar këtë organizim si shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”.

Ministri i Kulturës thotë se liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, por sipas tij, kjo liri nuk mud të përdoret për qëllime politike e, aq më pak të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë.

“Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, shkroi ndër të tjera ai.

Deri tani, ky është reagimi i vetëm i bërë nga Qeveria e Kosovës për këtë ndodhi./Gazeta Sinjali/