image Tahiri: Shqetësues drafti i statutit të Asociacionit, po krijohet një nivel i tretë i pushtetit

Politikë

Tahiri: Shqetësues drafti i statutit të Asociacionit, po krijohet një nivel i tretë i pushtetit

news image

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se drafti i statutit të Asociacionit, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë dhe i pranuar nga kryeministri Albin Kurti është shqetësues për vendin. Sipas tij, përmes Asociacionit do të krijohet një nivel i tretë i pushtetit në vend, ku komuniteti serb në Kosovë, do të kenë një nivel të madh të vetëmenaxhimit.

Tahiri thotë se nga drafti që kanë parë dhe që është më i përafërt me draftin origjinal ka shqetësime serioze, pasi flitet për një shtrirje territoriale të komunitetit serb në Kosovë, për vetëmenaxhim të serbëve që formën e ka të Asociacionit, por përmbajtjen komplet tjetër.

Tahiri duke kritikuar Kurtin për qasjen e tij në dialog, thotë se ai është kryeministri i parë që sjell një draft-statut për themelimin e Asociacionit.

Krahas kësaj, Tahiri thekson se mostransparenca e Kurtit për Asociacionin është e papranueshme.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, thotë se largimi nga agjenda e dialogut të njohjes de-jure, ka rrezikuar kompromise të mëtutjeshme, përkundër që mund të themelohet Asociacioni.

Diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor në Prishtinë, kanë propozuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit, i cili deri më tani nuk është bërë publik nga zyrtarët qeveritar. Megjithatë, një draft e ka publikuar ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët. /KP

/GazetaSinjali/