image Kurti bën thirrje për qetësi në veri: Aksioni i sotëm ka përfunduar

Politikë

Kurti bën thirrje për qetësi në veri: Aksioni i sotëm ka përfunduar

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas aksionit të Policisë në veri e jug të Mitrovicës.

Kurti ka bërë thirrje për qetësi në Komunën veriore të Mitrovicës, derisa ka njoftuar se aksioni i Policisë së Kosovës ka përfunduar.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë. /Gazeta Sinjali/