image Vjedhje grabitqare në "Gorenje": Hajnat vjedhin pajisje elektronike në vlerë prej 8 mijë euro, gjuajnë me armë dhe ikin

Siguri

Vjedhje grabitqare në “Gorenje”: Hajnat vjedhin pajisje elektronike në vlerë prej 8 mijë euro, gjuajnë me armë dhe ikin

news image

Mbrëmë pas mesnatës në një qendër tregtare në Ferizaj ka ndodhur një vjedhje grabitqare, ku tre persona dyshohet se kanë vjedhur pajisje elektronike në vlerë prej 8 mijë euro. Rastin në Polici e ka raportuar rojtari i kësaj qendre i cili ka treguar se si të dyshuarit e kanë kryer vjedhjen. Gazeta Sinjali iu sjell detajet më poshtë.

Sot rreth orës 02:45, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, tre persona të maskuar kanë hyrë në qendrën tregtare “Gorenje” dhe kanë marrë pajisje të ndryshme elektronike.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë njoftuar se rastin në Polici e ka raportuar rojtari i kësaj qendre, i cili më pas ka treguar se si të dyshuarit e kanë kryer ‘misionin’ e tyre.

Rojtari ka deklaruar se tre persona të dyshimtë kanë hyrë me veturë në oborrin e qendrës tregtare, e më pas i kanë thyer xhamat dhe kanë hyrë brenda objektit ku kanë marrë pajisje elektronike.

Punonjësi ka thënë se është afruar në drejtim të tyre, mirëpo njëri nga të dyshuarit ka gjuajtur me armë në tokë dhe e ka kërcënuar se nëse afrohet do ta vrasë.

Pas kësaj, tre të dyshuarit e maskuar kanë ikur. Siç mëson Sinjali ata kanë qenë të veshur të gjithë me ngjyrë të zezë dhe në kokë kanë pasur nga një dritë për ndriçim.

Pas kësaj ngjarje, Policia ka aktivizuar Unazën e Çeliktë dhe ka nisur hetimet në zbardhjen e rastit.

Poashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe menaxheri i “Gorenjes”, i cili ka bërë të ditur se tre të dyshuarit kanë vjedhur rreth 12 laptopë dhe tri shtëpiza të kompjuterëve, vlera e të cilave arrin në 8 mijë euro.

Hetuesit policorë kanë shikuar edhe kamerat përreth dhe kanë vërejtur që të dyshuarit ishin me një veturë pa targa, por tipi ka qenë i vështirë të përcaktohet.

Unaza e Çeliktë rreth orës 04:45 është ndërprerë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje grabitqare” derisa hetimet po vazhdojnë.

Çka parasheh Kodi Penal për vjedhjen grabitqare?

Sipas Kodit Penal kushdo që i zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes dhe me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajë, e përdor forcën apo kanosjen serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit ose i cili ka me vete armën apo mjetin e rrezikshëm, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit të armatosur ose kur vepra penale rezulton me lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekje, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm

/GazetaSinjali/